A mundet Perëndia të hyjë në krijimin e tij? Kjo është kundërshtia më e madhe ndërmjet të Krishterëve dhe myslimanëve, dhe është mjaft e trishtë që shpesh kjo çështje përbën një pengesë mjaft të madhe për myslimanët që të pranojnë se Krijuesi i Universit mori natyrën e një njeriu dhe hyri vetë në Krijim, dhe që është Jezu Krishti. A ka ndonjë arsye për të menduar se Zoti mund ta bëjë këtë gjë?
Spas kuranit, në njëfarë kuptimi, Zoti duket se është në gjendje që të hyje në Krijim, përderisa tek surja 27 Ai flet me Moisiun nga shkurrja që digjet (Po njësoj siç dhe përshkruhet tek Eksodi 3). Në surenë 27:7-9 lexojmë:
7. Kujto kur Musai i tha familjes së tij: “Unë pashë një zjarr. Do shkoj që t’ju sjell ndonjë lajm prej atje ose t’ju sjell një urë zjarri, për t’u ngrohur”.
8. Kur shkoi te zjarri, një zë e thirri: “Bekuar qoftë kush është te zjarri dhe të gjithë (engjëjt) rreth tij! Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i botëve!
9. O Musa! Jam Unë, Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti!
Tek Zanafilla 3: 8, ne gjithashtu lexojmë se Adami dhe Eva "dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës." Kjo është e vështirë për tu shpjeguar nëse mendojmë se Perëndia nuk mund të hyjë në krijim. Por a ka ndonjë dëshmi tjetër nga Shkrimet Hebraike që na tregojnë se Perëndia mund të hyjë në krijimin e tij, apo është ideja e Rimishërimit Hyjnor një shpikje e të krishterëve?
Në Dhiatën e Vjetër, vazhdimisht përshkruhet një karakter misterioz i cili përshkruhet me emrin "Engjëlli i Zotit". Duke parë shfaqjet e tij të shumta, mund të grumbullojmë të dhëna për identitetin e tij. Hera e parë që Engjëll i Zotit përshkruhet është kur i shfaqet Agarit, shërbëtores së gruas së Abrahamit, Sarajt. Tek Zanafilla 16: 7-13, lexojmë:
Por Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit, dhe i tha: "Agar, shërbyesja e Sarajt, nga vjen dhe ku po shkon?" Ajo u përgjigj: "Po iki nga prania e zonjës sime Saraj". Atëherë Engjëlli i Zotit i tha: "Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj". Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: "Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh". Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd; ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij". Atëherë Agari thirri emrin e Zotit që i kishte folur: "Ti je El-Roi," sepse tha: "A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?".
Ajo që është vërtetë interesante me këtë pjesë është fakti se Engjëlli i Zotit flet si të ishte i dalleshëm nga Zoti por në të njëjtën kohë e paraqet veten si zëdhënësi i Perëndisë. Në fakt, ai flet në vetën e parë dhe thotë: " Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu...." Kjo është shumë e veçantë. Për më tepër, në vargun 13, Agari e identifikon Engjëllin e Zotit si "Perëndia që më sheh."
Tek Zanafilla 18, Abrahami vizitohet nga tre burra, njëri prej të cilëve identifikohet si vetë Zoti. Tek Zanafilla 18 vargjet 9-15 lexojmë:
Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër". Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij. Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave. Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?". Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?". A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir". Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha," sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!"
Në vargjet 22-33, Abrahami ndërhyn tek Zotin për fatin e Sodomës. Është e qartë se Ai me të cilin Abrahami flet është një nga tre burra që erdhën tek ai, meqenëse Zanafilla 19 fillon duke shpjeguar se "Por të dy engjëjt arritën në mbrëmje në Sodomë," (d.m.th. një kishte mbetur pas). Tek Zanafilla 19:24-25 është diçka mjaft e veçantë:
Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit. Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.
A mos do të thotë kjo pjesë se personi që identifikohet si Zoti ishte i pranishëm si në Qiell edhe në Tokë? Ky fakt merr shpjegim dhe është mjaft i përputhshëm me konceptin Trinitarian për Zotin.
Shfaqja e radhës së Engjëllit të Zotit lidhet përsëri me Hagarin në lidhje me birin e saj Ismaelin. Tek Zanafilla 21:17-18 lexojmë:
Dhe Perëndia dëgjoi zërin e djaloshit dhe Engjëlli i Perëndisë thirri Agarin nga qielli dhe i tha: "Çfarë ke, Agar? Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet. Çohu, çoje djaloshin dhe mbaje fort me dorën tënde, sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh".
Përsëri, vini re në vargun 18, Engjëlli i Zotit flet duke përdorur vetën e parë(...sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh”), duke e bërë Veten zëdhënës të Zotit.
Rasti tjetër që Engjëlli i Zotit përshkruhet në Bibël është kur Abrahami është gati që të sakrifikojë birin e tij Isakun, mbi malin Moriah. Tek Zanafilla 22: 11-18 lexojmë:
Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke". Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit. Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jahveh Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit". Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha: "Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke, unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim".
Përsëri, Engjëlli i Zotit përdor vetën e parë dhe pretendon të jetë Zoti vetë. Në vargun 12, ai deklaron: " se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke." Gjithashtu Engjëlli pretendon të jetë ai që i dha Abrahamit udhëzimin për të sakrifikuar Isakun, (vargu 18) dhe se " ...unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit ..."
Tjetër rast ku përshkruhet Engjëlli i Zotit është në Zanafillën 32, ku Jakobi luftoi me Zotin. Në vargjet 1 dhe 2 na thuhet:
Ndërsa Jakobi vazhdonte rrugën e tij, i dolën përpara engjëj të Perëndisë. Mbasi i pa Jakobi, tha: "Ky është fushimi i Perëndisë"; dhe e quajti atë vend Mahanaim.
Në vargjet 22-31 lexojmë:
Por atë natë ai u ngrit, mori dy gratë e tij, dy shërbëtoret dhe të njëmbëdhjetë fëmijët e tij dhe e kaloi vaun e lumit Jabbok. I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte. Kështu Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë luftoi me të deri në agim. Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijes së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij. Dhe ai tha: "Lërmë të shkoj, se po lind agimi". Por Jakobi iu përgjegj: Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!!". Tjetri i tha: "Cili është emri yt?". Ai u përgjegj: "Jakob". Atëherë ai i tha: "Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar". Jakobi i tha: "Të lutem, tregomë emrin tënd". Por ai iu përgjegj: "Pse e do emrin tim?". Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal". Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës.
Në këtë pjesë Jakobi e emërton vendin Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal". Osea 12: 4-5 gjithashtu e identifikon Engjëllin për të cilin flitet më sipër si Zoti Perëndi i Plotfuqishëm.
Tek Osea 12:4-5 lexojmë:
Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne, domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti.
Në vazhdim për Engjëllin e Zotit lexojmë tek në Eksodi 3. Në vargjet 1-6 shkruhet:
Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Madianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb. Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej. Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!". Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë". Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.
Në këtë rast mjaft interesant është fakti se fjalët “Engjëlli i Zotit” dhe “Zoti” përdoren duke këmbyer njëra-tjetrën. Engjëlli i Zotit këtu e përshkruan Veten si, “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit”.
Engjëlli i Zotit gjithashtu i shfaqet Balaamit (Numrat 22) dhe, në mënyrë të ngjashme, Jozueut (Jozueu 5: 13-15). Gjithashtu e hasim Engjëllin e Zotit katër herë në librin e Gjyqtarëve. Tek Gjyqtarët 2: 1-4, lexojmë:
Por Engjelli i Zotit u ngjit nga Gilgali në Bokim dhe tha: "Unë ju nxora nga Egjipti dhe ju çova në vendin që isha betuar t’u jepja etërve tuaj. Kisha thënë gjithashtu: "Nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju. Por ju nuk do të lidhni asnjë aleancë me banorët e këtij vendi dhe do të shembni altarët e tyre". Por ju nuk iu bindët zërit tim. Pse e bëtë këtë? Kështu unë po ju them tani: Unë nuk do t’i dëboj para jush; por ata do të jenë si gjemba në ijet tuaja, dhe perënditë e tyre do të jenë për ju si një lak". Sapo Engjëlli i Zotit mbaroi së thëni këto fjalë tërë bijve të Izraelit, populli ngriti zërin dhe filloi të qajë.
Për tu theksuar është fakti se këtu Engjëlli i Zotit e identifikon veten si Ai që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit dhe i drejtoi ata në tokën e premtuar. Për më tepër, Engjëlli i Zotit e identifikon veten si ai që bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit - një besëlidhje që Ai kurrë nuk do të prishë.
Tek Gjyqtarët 6: 11-24, lexojmë përsëri për Engjëllin e Zotit.
Tek Gjyqtarët 6: 11-24, lexojmë përsëri për Engjëllin e Zotit.
Gjyqtarët 6: 11-24
Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, Abiezeritit, ndërsa biri tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga Madianitët. Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!". Gedeoni iu përgjegj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Madianit". Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Madianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?". Ai iu përgjegj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim". Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t’i mundur Madianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm". Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti". Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi. Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçët pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu. Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçët pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçet pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij. Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!!". Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s’ke për të vdekur!". Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jahveh Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e Abiezeritëve.
Përsëri, Engjëlli i Zotit identifikohet si vetë "Zoti" (vargjet 14, 16, 23, 25, 27). Në fakt, Gideoni kërkon një shenjë për të konfirmuar se me të vërtetë është Perëndia Ai i cili është duke i folur. Gedeoni përgatit një sakrificë dhe Perëndia e konsumon atë duke sjelljë zjarr nga shkëmbi. Ajo që është për tu theksuar është fakti se vetëm Zoti duhet të adhurohet në këtë mënyrë. Kur Gideoni sheh zjarrin nga shkëmbi tmerrohet. Ai kupton që ka parë Perëndinë ballë për ballë (shih Eksodi 33:20), por Zoti i siguron se ai "s’ka për të vdekur".
Tek Gjyqtarët 13: 1-25 është një pjesë që duhet të theksohet në lidhje me shfaqjen e Engjëllit të Zotit. Në këtë pjesë lexojmë:
Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit, dhe Zoti i dha në duart e Filistejve për dyzet vjet. Ishte një njeri nga Tsorahu, prej familjes së Danitëve, që quhej Manoah; gruaja e tij ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë. Engjëlli i Zotit iu shfaq kësaj gruaje dhe i tha: "Ja, ti je shterpë dhe nuk ke fëmijë, por ke për të mbetur me barrë dhe do të pjellësh një fëmijë. Prandaj ruhu se pi verë o pije dehëse, dhe mos ha asnjë gjë të papastër. Sepse ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një Nazireo kushtuar Perëndisë që në barkun e nënes së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve". Atëherë gruaja shkoi t’i thotë bashkëshortit të saj: "Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë; pamja e tij ishte si ajo e Engjëllit të Perëndisë, me të vërtetë e frikshme. Unë nuk e pyeta se nga vinte, dhe ai nuk më tha emrin e tij; por më tha: "Ja, ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë; prandaj tani mos pi verë as pije dehëse, dhe mos ha asgjë të papastër, sepse fëmija do të jetë një Nazireo i kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij"". Atëherë Manoahu iu lut me të madhe Zotit dhe i tha: "O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur". Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të. Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m’u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje". Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjegj: "Jam unë". Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç’duhet të bëjë?". Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë. Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar". Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!". Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një olokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit). Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?". Engjëlli i Zotit iu përgjegj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm". Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin; ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit. Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë". Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona olokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto". Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi. Fryma e Zotit filloi të lëvizë mbi të në kampin e Danit, midis Tsorahut dhe Eshtaolit.
Manoahu është udhëzuar në vargun 16 që ti bejë një olokaust Zotit. Arsyeja për këtë gjë është se "Manoahu nuk e kishte kuptuar se Ai ishte Engjëlli i Zotit." Manoahu kishte nevojë për këtë shpjegim sepse ai do t’ia ofronte këtë olokaust burrit, por as që e kishte marrë atë për engjëll, dhe nuke kishte kuptuar aspak se ishte vete Zoti. Vargjet 17 -18 na kujtojnë ndeshje ndërmjet Engjëllit të Zotit dhe Jakobit tek Zanafilla 32, ku Engjëlli nuk pranon të japë emrin e tij, por thotë: "Përse më pyet për emrin?" Por në vargun 18 tek Gjyqtarëve 13 shtohet, "Ai është i Mrekullueshëm ". Kjo pjesë në mënyrë të habitshme ngjan me Isaia 9:6 në të cilën një prej emrave që i jepet Mesias Hyjnor të Mishëruar është “Këshilltar i Mrekullueshëm”.
Kur Manoahu dhe gruaja e tij i bëjë një olokaust Zotit, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Kjo na kujton sakrificën e Krishtit, i Cili duke qenë Perëndia i Mishëruar, u bë sakrificë ofruar Atit. Ngjitja e Engjëllit të Zotit në flakën që ngrihet nga olokausti mbi altar përbën një simbolikë të fortë dhe padyshim përfaqëson ardhjen e sakrificës së Krishtit si shlyerje për mëkatin.
Ashtu si ata që kishin takuar Engjëllin e Zotit përpara tyre, Manoahu dhe e shoqja janë të frikësuar për jetën e tyre, pasi e kuptuan që kishin parë Perëndinë ballë për ballë.
Si përfundim, shohim që:
- Engjëlli i Zotit vazhdimisht identifikohet si Zoti.
- Engjëlli i Zotit kryen mrekulli.
- Njerëzit presin që të vdesin pasi panë takuar Engjëllin e Zotit ballë për ballë, por asnjë prej tyre nuk vdes në të vërtetë.
- Emri i Engjëllit të Zotit është “I Mrekullueshëm”.
Pra, si përfundim, cili është Engjëlli i Zotit? Pasi lexojmë të gjitha të dhënat dhe shohim që të gjitha janë në përputhje me njëra tjetrën, del qartë se Engjëlli i Zotit është veçse Krishtit. Kjo gjë merr kuptim dhe në kontekstin e përshkrimit të apostullit Gjon për Krishtin, si "Fjala" e Perëndisë (shih Gjoni 1: 1). Për më tepër, siç thuhet dhe në Ungjillin sipas Gjonit 1:18, "Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur." Dhe siç thuhet shprehimisht tek Hebrenjve 1: 3: "Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij,...." Krishti e përshkruan veten si Zëdhënës të Perëndisë në tokë dhe shfaqje i Perëndisë në Tokë për njerëzimin (Mateu 11:27, “ Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë). Në fakt, gjithçka është dhe bën Jezusi, interpreton dhe shpjegon se kush është dhe çfarë bën Perëndia (Gjoni 14: 8-10, “Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.” Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?". A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat.)
Për më tepër, është Engjëlli i Zotit i cili jep urdhrin që Jozueut ti hiqen rrobat e papastra tek Zakaria 3:3 dhe tek Zakaria 3:4 thotë, “Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera”. Konteksti na tregon se ky veprim ka për qëllim të simbolizojë restaurimin e priftërisë së Izraelit. Gjithashtu teksti simbolizon se Krishti na vesh me rrobat e drejtësisë (Isaia 61:10, Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj.)
Engjëlli i Zotit përfaqëson një Kristofani - një pamje të para-mishërimi të Jezu Krishtit. Gjithashtu na jep lidhjen e fuqishme dhe bindëse të Biblës , pra ndërlidhshmërinë e të gjithë Librave të Saj - një fenomen që mund të shpjegohet vetëm me origjinën Hyjnore të Biblës.